Logo
Kryefaqja/GJËRAT QË E PRISHIN ZEMRËN DHE SHKAKTARËT E SËMUNDJES
GJËRAT QË E PRISHIN ZEMRËN DHE SHKAKTARËT E SËMUNDJES

Foto ilustruese — arkivi i Mihralb

GJËRAT QË E PRISHIN ZEMRËN DHE SHKAKTARËT E SËMUNDJES

Mihralb

16 korrik 2026

16 min lexim

Pesë gjëra e prishin zemrën:

1. Teprimi i shoqërimit me njerëzit;

2. Shpresat e kota;

3. Lidhja me dikë tjetër përveç Allahut;

4. Ngopja;

5. Gjumi i tepruar.

Këto pesë gjëra e prishin më së shumti zemrën. Më poshtë do të përmendim pasojat e përbashkëta, por edhe të veçanta të tyre.

Zemra udhëton drejt Allahut xh.sh. dhe drejt shtëpisë së ahiretit. Me dritën e saj, jetën, fuqinë, shëndetin, vendosmërinë, me të dëgjuarit dhe shikimin, dhe duke mos u preokupuar me gjëra të padobishme, ajo zbulon rrugën e së Vërtetës, mangësitë e shpirtit dhe të veprave, si dhe atë që e ndërpret atë rrugë. Këto pesë gjëra e shuajnë dritën e saj, verbojnë mendjehollësinë dhe vështirësojnë të dëgjuarit, kurse ndonjëherë e bëjnë tërësisht të shurdhër, memece dhe të dobët. Ato e dobësojnë shëndetin e saj, e dobësojnë vendosmërinë, e frenojnë ambicien dhe e vonojnë atë. Kush nuk e ndjen këtë, zemra e tij është e vdekur, kurse të vdekurit nuk u dhemb plaga. Këto gjëra janë pengesë drejt përsosmërisë. Ato ia ndërpresin rrugën deri te caku për të cilin është krijuar, ndërsa ajo është rruga e kënaqësisë, lumturisë, gëzimit e ëmbëlsisë. Me të vërtetë, nuk ka kënaqësi, ëmbëlsi, gëzim, e as përsosmëri, përveçse me njohjen e Allahut dhe me dashurinë ndaj Tij; ndihet qetësia duke e përmendur Atë, gëzim në afërsinë e Tij dhe dëshirë e flaktë për t’u takuar me Të. Ashtu siç në ahiret nuk ka kënaqësi përveçse me afërsinë e Tij, në Shtëpinë e kënaqësive – në Xhennet, në botën tjetër ai do të jetë Xhenneti. Kështu, ai fiton dy xhennete. Nuk do të hyjë në tjetrin nëse nuk hyn në të parin.

E kam dëgjuar shejhul-islamin Ibën Tejmije, Allahu e bëftë dritë shpirtin e tij, duke thënë: “Në dunja vërtet ekziston Xhenneti. Kush nuk hyn në të, nuk do të hyjë as në Xhennetin e ahiretit.” Një arif kishte thënë: “Nëse banorët e Xhennetit kënaqen kështu, atëherë ata me të vërtetë jetojnë mirë.” Disa të dashuruar kanë thënë: “Sa të mjerë janë banorët e dunjasë: janë larguar prej saj e nuk e kanë shijuar më të bukurën në të.”

“Çfarë është më e bukura në të?” – e pyetën. Ai u përgjigj: “Dashuria ndaj Allahut dhe afërsia e Tij, dëshira për t’u takuar me Te, përkushtimi ndaj Tij dhe largimi prej të gjitha të tjerave.”

Zemra e atij që është e gjallë, e dëshmon në bazë të përvojës personale. Këto pesë gjëra e largojnë prej saj. Nëse njeriu nuk shërohet prej këtyre sëmundjeve, ai duhet të frikësohet për zemrën e tij.

TEPRIMI I SHOQËRIMIT ME NJERËZIT

Teprimi i shoqërimit me njerëzit i mbush zemrat me tymin e frymëmarrjes së bijve të Ademit gjersa të mos nxihen. Kjo shkakton çmenduri, hutim, brengosje, mërzi, dobësi e fatkeqësi, ndikim të shoqërisë së keqe, harxhim të gjërave të dobishme për shkak të tyre, preokupim të mendimeve me luginat e dëshirave të tyre, gjë të cilën ai nuk mund ta durojë. Çfarë i mbetet për Allahun e për ahiretin?!

Sa të këqija ka shkaktuar shoqërimi me njerëz e sa mirësi janë larguar? Sa sprova janë bërë për shkak të kësaj e sa dhurata janë zhdukur? Sa katastrofa janë shkaktuar dhe në sa fatkeqësi është rënë? A mundet sëmundja e njeriut të jetë diçka tjetër përveçse vetë njeriu? A kishte diçka më të dëmshme sesa shokët e këqij kur Ebu Talibi ishte duke vdekur? Ata nuk lëshuan pe gjersa e penguan atë prej fjalëve të lumturisë së përhershme:

Shoqërimi për hir të dashurisë në dunja dhe përmbushja e nevojave të ndërsjella bëhet armiqësi atëherë kur të vërtetat dalin në shesh. Prandaj, ai që shoqërohet për këtë shkak, do të pendohet keq. Allahu i Lartësuar thotë:

“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: ‘Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur’ani) që më kishte ardhur!’ Në të vërtetë, shejtani e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.” (El-Furkan: 27-29)

“Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” (Ez-Zuhruf: 67)

Ibrahimi, miku i Allahut, i drejtohet popullit të tij: “Dhe ai tha: ‘Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë. Por, në Ditën e Kijametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri dhe nuk do të ketë për ju kurrfarë ndihmësi.’” (El-Ankebut: 25)

Kështu do të ndodhë me të gjithë bashkëpjesëmarrësit dhe ortakët në ndonjë gjë. Ata e duan njëri-tjetrin gjersa ndihmohen. Kur zhduket qëllimi (caku), pason pendimi, mërzia dhe dhembja. Kur qëllimi të shndërrohet në mërzi dhe dënim, atëherë dashuria shndërrohet në urrejtje, mallkim dhe në qortim reciprok. Kjo mund të vërehet te bashkëpjesëmarrësit kur poshtërohen, kur dënohen e mundohen. Për të gjithë ata që e ndihmojnë njëri-tjetrin në humbje dhe duhen për shkak të saj, dashuria detyrimisht do të shndërrohet në urrejtje e armiqësi.

Parim i dobishëm në një shoqëri është që shoqërimi të bëhet për të mira: në xhuma, në namazin me xhemat, në Bajrame, haxh, në kërkimin e diturisë, xhihad, në këshillime, dhe të izolohet prej njerëzve në gjëra të këqija dhe nga teprimi në të mirat e lejuara. Nëse nga nevoja e patjetërsueshme përzihet në të këqija me ta dhe kurrsesi nuk mund të largohet, atëherë le të kujdeset mirë që të mos pajtohet me ta, të bëjë sabër në shqetësimin e tyre, sepse e detyrueshmja do të ndodhë nëse nuk ka fuqi ose ndihmës. Shqetësimin më vonë do ta zëvendësojë fama dhe dashuria ndaj tij. Besimtarët do ta duan dhe do ta lavdërojnë, ashtu siç edhe Zoti i të gjithë botëve. Pajtimin me ta më vonë do ta zëvendësojë nënçmimi, urrejtja ndaj tij, qortimi i besimtarëve dhe qortimi i Zotit të të gjitha botëve. Nëse është e nevojshme që të përzihet me ta më shumë sesa i është lavdëruar, nëse mundet, le të përpiqet që tubimin ta shndërrojë në nënshtrim ndaj Allahut. Le ta nxisë dhe forcojë zemrën e tij. Të mos ia vërë veshin shejtanit, i cili dëshiron ta largojë prej kësaj duke i thënë se kjo është shtirje (sa për sy e faqe), përpjekje për të fituar dituri e të ngjashme. Le të luftojë kundër kësaj duke e lutur Allahun për ndihmë dhe të ndikojë tek ata aq sa ka mundësi. Nëse nuk mund ta bëjë këtë, atëherë le ta largojë prej tyre zemrën e tij, njësoj si qimja që largohet prej gjalpit.

Të qëndrojë me ta fizikisht larg – edhe pse është afër, i përgjumur edhe pse është zgjuar, i verbër edhe pse i sheh ata, i shurdhër edhe pse i dëgjon ata – sepse ai e ka larguar zemrën prej tyre dhe është lidhur me shoqërinë më të zgjedhur, duke lundruar rreth Arshit me shpirtrat e lartësuar e të pastër.

Kjo është e vështirë dhe e mundimshme për shpirtrat, por është e lehtë për atë të cilit ia lehtëson Allahu. Lidhja e robit me atë gjendje është sinqeriteti ndaj Allahut, vendosmëria në kërkimin e strehimit tek Ai, nënshtrimi i plotë para dyerve të Tij, përulje. Këtu ndihmon vetëm dashuria e sinqertë, dhikri i përhershëm me zemër e me gjuhë, duke u larguar prej katër gjërave të tjera që e shkatërrojnë zemrën. Këtë do të mund ta arrijë nëse përgatitet mirë, nëse ndihmohet me fuqinë e dhënë nga ana e Allahut të Lartësuar, me vendim të sinqertë, dhe nëse e pastron zemrën prej çdo lidhjeje jashtë lidhjes me Allahun e Lartësuar. Allahu e di më së miri.

Robi duhet të përzihet aq sa duhet të përzihet. Njerëzit duhen ndarë në katër lloje, sepse nëse nuk bëhet dallimi mes tyre, njeriut do t’i ndodhë e keqja.

Lloji i parë: Duhet të shoqërohet me ta, sepse i nevojiten sikurse ushqimi, pa të cilin nuk mund të rrijë as ditën e as natën. Kur prej tyre merr atë që i duhet, ai qetësohet, ndërsa kur të ketë sërish nevojë që të jetë me ta, ai shoqërohet rregullisht. Kjo kategori është më e çmuar se ari më i fintë – ata janë dijetarët. Ata e kanë njohur Allahun dhe urdhrin e Tij, kurthet e armikut të Tij, sëmundjet dhe ilaçet e zemrës. Ata këshillojnë për Allahun, për Librin e Tij dhe për Pejgamberin. Në shoqërim me këtë kategori, fitimi është i pastër.

Lloji i dytë: Shoqëria e tyre është sikurse ilaçi në sëmundje, sepse kur jemi mirë me shëndet, nuk kemi nevojë që të shoqërohemi me ta. Pa shoqërinë e tyre nuk mund të arrihen nevojat jetësore, marrëdhëniet ndërnjerëzore, bashkëveprimet, këshillimet, ndihma mjekësore e të ngjashme. Kur të kryhen të gjitha këto, mbetet shoqërimi me llojin e tretë.

Lloji i tretë: Shoqërimi me ta është si sëmundja. Dallojnë shkallët, llojet dhe fuqia e tyre. Mes tyre ka edhe të tillë, shoqërimi me të cilët është si sëmundja kronike. Afër këtyre nuk mund të kesh dobi as në aspektin fetar, e as në atë të dunjasë. Me ta humb njërën ose të dyja. Kur të jesh në gjendje që të përzihesh me ta dhe kur të hysh në kontakt me të tillë, atëherë kjo është një sëmundje e tmerrshme, vdekjeprurëse. Shoqërimi me disa është si sëmundja e dhembit – ndërsa kur largohen prej teje, atëherë dhembja largohet. Me disa është sikur ke ethe shpirtërore. Një njeri i këtillë është i rëndë, me logjikë të shëmtuar. Nuk mund të të bëjë dobi me fjalë të mira, por ai nuk mund të ketë dobi prej teje as duke heshtur. Ai nuk e njeh shpirtin e tij dhe për këtë nuk mund ta vendosë në vendin e vet. Fjalët e tij janë si fjalët e njeriut të rebeluar, i cili, i mahnitur me vetveten, zbret në zemrën e dëgjuesve. Ai mendon se kjo është aromë që e hijeshon tubimin. Heshtja i duket më e rëndë sesa guri i mullirit, të cilin as nuk mund ta mbartë e as ta tërheqë zvarrë në tokë. Përmendet prej Shafiut, Allahu e mëshiroftë, se ka thënë: “Sa herë që afër meje është ulur një njeri i rëndë, ana e tij ishte më e ulët se e të tjerëve.” Te shejhu ynë (kaddesallahu ruhahu), kam parë njerëz të këtij lloji. Shejhu i duronte, por filloi ta humbë durimin dhe u drejtua nga unë e tha: “Ulja me personin e rëndë është tmerr katërditor. Por shpirtrat tanë janë mësuar në tmerre dhe kjo është bërë e zakonshme.” Përzierja me çdo njeri me mendim ndryshe është tmerr shpirtëror, qoftë kalimtar ose konstant. Fatkeqësia e dunjasë është sprovë e shoqërimit dhe e jetuarit me këtë lloj njerëzish, mirëpo ndaj tyre duhet të sillemi mirë gjersa Allahu të dërgojë rrugëzgjidhje.

Lloji i katërt: Shoqërimi me ta është shkatërrim i plotë, njësoj si helmi. Nëse afër vetes e ka kundërhelmin – atëherë mirë, por nëse jo – atëherë Allahu i dhëntë ngushëllim të mirë. Ka shumë njerëz të këtillë, Allahu mos i shumoftë më shumë. Këta janë ithtarë të risive dhe devijimeve, të cilët largojnë prej sunnetit të të Dërguarit të Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), thërrasin në humbje, largojnë prej rrugës së Allahut dhe përpiqen që ta shtrembërojnë atë rrugë. Risinë e shpallin sunnet, kurse sunnetin risi; të mirën e shpallin të keqe, ndërsa të keqen të mirë. Nëse praktikon teuhidin e pastër, ata thonë: “Ke dëmtuar evlijatë.” Nëse e pason vetëm sunnetin e Pejgamberit, ata thonë: “Ke shkelur të drejtën e imamit.” Nëse e përshkruan Allahun me atë me të cilën Ai e ka përshkruar Veten, dhe me të cilën e ka përshkruar Pejgamberi i Tij, duke mos e tepruar e as cunguar, ata thonë: “Ti je prej mushebbihëve.” Nëse urdhëron për të mirën të cilën e ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ndalon të keqen të cilën e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, ata thonë: “Ti je ngatërrestar.” Nëse largohesh prej asaj që është në kundërshtim me sunnetin, thonë: “Ti je ithtar i risive të cilat të çojnë në humbje.” Nëse i përkushtohesh Allahut të Lartësuar dhe ata i lë në duart e dunjasë, thonë: “Ti je mashtrues.” Nëse e lë atë në të cilën je dhe fillon të pasosh lakmitë e tyre, atëherë ti je shkatërruar te Allahu, ndërsa ata do të konsiderojnë veten dyfytyrësh.

Duke i zemëruar ata, ai kërkon kënaqësinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Mos i përkëdhel dhe mos u lidh me ta. Mos ua vër veshin qortimeve dhe urrejtjes së tyre, sepse përsosmëria jote ishte pikërisht këtu. Është thënë:

Kur qortimi më vjen prej njeriut të thyer,

ky është argument se jam i ndershëm.

DËSHIRAT E KOTA

Shkatërrues tjetër i zemrës është zhytja në detin e dëshirave, i cili nuk ka brigje. Në këtë det lundrojnë të gjithë humbësit e botës. Është thënë: “Dëshirat e kota janë maja e pasurisë së humbësve.” Malli i tyre janë ëndrrat dhe premtimet e shejtanit për gjërat e pamundshme. Valët e dëshirave të rreme dhe ëndrrave të kota nuk ndalojnë. Me ta lozin të devijuarit, njësoj si qentë që lozin me cofëtinën. Ky është malli i çdo shpirti të urryer, të keq dhe të ulët. Ai shpirt nuk ka ambicie me të cilën do të realizonte caqet e vërteta të jashtme, por këtë e ka zëvendësuar me dëshira të kota. Secili njeri, sipas gjendjes së tij, ka dëshiruar fuqinë e pushtetin, udhëtimet, pasurinë, gratë ose djelmoshat e bukur. Ai që kultivon dëshira të tilla, brenda vetes paramendon fotografinë e asaj që kërkon, dhe kënaqet me këtë sikur ta kishte arritur, ndërsa më vonë zgjohet duarthatë.

Dëshirat e njerëzve ambiciozë rrotullohen rreth diturisë, besimit dhe veprave që i afrojnë tek Allahu, kështu i afrohen Atij. Dëshirat e tyre janë dritë dhe udhërrëfim, kurse dëshirat e këtyre të tjerëve janë mashtrime për ta.

Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e ka lavdëruar njeriun që dëshiron të mirën. Ndonjëherë e shpërblente sikur ta kishte vepruar atë. Dikush kishte thënë: “Sikur të kisha pasuri, do të kisha vepruar si filani, i cili i frikësohet Allahut në këtë çështje, i cili me anë të saj vendos lidhjet familjare dhe prej saj ndan atë që duhet.” Është thënë: “Shpërblimi i këtyre të dyve është i njëjtë.” Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kishte dashur që Haxhin e Lamtumirës ta bënte si haxh temetu. Ai i kishte hequr ihramet dhe nuk e kishte therur kurbanin, dhe kështu kishte bërë haxhin kiran. Për shkak të veprave, Allahu i kishte dhënë shpërblimin e kiranit, ndërsa për shkak të nijetit i kishte dhënë shpërblimin e haxhit temetu, dhe kështu ia kishte bashkuar të dy shpërblimet.

LIDHJA ME DIKË JASHTË ALLAHUT

Shkatërruesi i tretë i zemrës është lidhja me dikë jashtë Allahut xh.sh.. Ky është njëri prej shkatërruesve më të mëdhenj të zemrës. Kur zemra të lidhet me dikë tjetër jashtë Allahut, Allahu e lë në dorën e atij me të cilin është lidhur dhe e poshtëron me këtë. Për shkak se ai është larguar nga Allahu dhe është lidhur me dikë tjetër, ai nuk do ta arrijë atë që dëshiron prej Allahut xh.sh.; nuk do të ketë asgjë tek Allahu, e as që do të arrijë deri te caku.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata kanë marrë zota, në vend të Allahut, për t’i pasur ndihmës. Por jo! Ata do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiq të tyre.” (Merjem: 81-82)

“Por ata kanë zgjedhur zota të tjerë në vend të Allahut, duke shpresuar se do të ndihmohen prej tyre. Zotat nuk mund t’i ndihmojnë, e megjithatë idhujtarët janë si një ushtri e pranishme për t’i mbrojtur ata.” (Ja Sin: 74-75)

Njeriu më i poshtëruar prej të gjithë njerëzve është ai që lidhet me dikë tjetër përveç Allahut, sepse humbja e dobisë, e lumturisë dhe e suksesit që fitohet me lidhjen me Allahun është më e madhe se shpërblimi i atij me të cilin është lidhur. Një njeri i këtillë është dënuar që të dështojë. Shembulli i tij është sikurse shembulli i atij që nga i nxehti ose nga i ftohti mbulohet me rrjetën e merimangës – me shtëpinë më të dobët. Esenca e shirkut është lidhja me dikë tjetër jashtë Allahut. Njeriut të këtillë i takon kritika dhe nënçmimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos vër zot tjetër me Allahun, se do të mbetesh i poshtëruar dhe i braktisur!” (El-Isra: 22) I poshtëruar – pa u lavdëruar; i braktisur – pa ndihmës. Është thënë kështu sepse dikush është mundur dikur, por është lavdëruar – ai që është mundur në mënyrë të padrejtë; ndonjëherë qortohet dhe ndihmohet – ai që ka sunduar me të padrejtë; ndonjëherë është i lavdëruar dhe i ndihmuar – ai që ka sunduar drejt. Mushriku që është lidhur me dikë jashtë Allahut i takon kategorisë më të keqe – as nuk është lavdëruar, e as nuk është ndihmuar.

NGOPJA

Ekzistojnë dy kategori:

E para: Ajo që vetvetiu e prish zemrën – haramet. Ato janë dy llojesh:

1. Ajo që është e ndaluar për shkak të së drejtës së Allahut: cofëtina, mishi i derrit dhe mishi i kafshëve me dhëmbë të syve dhe zogj me kthetra.

2. Ajo që është e ndaluar për shkak të të drejtave të njeriut: vjedhja, kamata, marrja e ndonjë gjëje pa pajtimin e pronarit, gjatë dobësisë, turpit ose largimit nga kritikat.

E dyta: Ajo që e prish zemrën për shkak të kalimit të kufijve: teprimi në gjërat e lejuara – teprimi në ushqim. Nëse i nënshtrohemi lakmisë, atëherë do ta kemi të vështirë që të bëhemi të devotshëm. Kur arrin ta kontrollojë, ai ruhet prej dëmeve të saj dhe prej shqetësimeve të peshës së saj. Atij i shtohet pasioni. Rrugët nëpër të cilat ecën shejtani zgjerohen, dhe ai ecën brenda njeriut ashtu si gjaku. Agjërimi e kufizon lëvizjen e tij duke ia ngushtuar rrugët, kurse ngopja ia zgjeron ato. Kush ha shumë, po ashtu pi shumë, fle shumë dhe humb shumë. Në një hadith të njohur thuhet: “Njeriu nuk mbush enë më të keqe sesa barkun e tij. I mjaftojnë birit të Ademit disa kafshata që t’i mbajnë drejt trupin. Nëse duhet, atëherë një të tretën ta mbushë me ushqim, një të tretën me pije dhe një të tretën me ajër.”

Transmetohet se Iblisi, Allahu e mallkoftë, kishte dalë para Jahja ibën Zekerijas, bekimi dhe paqja qoftë mbi të, dhe Jahjai i kishte thënë: “A ke arritur diçka tek unë?” “Jo, përveç një rasti kur një natë të ofruan ushqim dhe ti kishe oreks gjersa u ngope, dhe pastaj të zuri gjumi pa bërë dhikër” – iu përgjigj Iblisi. Jahjai i tha: “Pasha Allahun, kurrë nuk do të ngopem.” Kurse Iblisi tha: “Kurse unë, pasha Allahun, kurrë nuk do ta këshilloj njeriun.”

TEPRIMI NË GJUMË

Kjo e bën zemrën të vdekur, rëndon trupin, harxhon kohën dhe shkakton shumë shkujdesje dhe përtaci. Ka gjumë që është shumë i qortuar dhe që është i dëmshëm për trupin. Gjumi më i dobishëm është ai për të cilin ndihet shumë nevojë. Gjumi në fillim të natës është më i lavdëruar dhe më i dobishëm se gjumi në fund të saj. Gjumi në mes të ditës është më i dobishëm se gjumi në skajet e saj. Sa herë që gjumi i vjen njërit skaj të ditës, pakësohet dobia dhe shtohet dëmi i tij. Posaçërisht kjo vlen për gjumin prej ikindisë dhe për gjumin në fillim të ditës, me përjashtim të atij që ka qenë zgjuar natën.

Është i qortuar gjumi ndërmjet namazit të sabahut dhe lindjes së diellit, sepse kjo është koha për dobi shpirtërore. Për ata që shkojnë rrugës së ngritjes shpirtërore, kjo kohë ka shumë vlerë. Madje edhe nëse gjithë natën e keni kaluar me ngritje shpirtërore, nuk duhet të lihet koha e lindjes së diellit. Kjo është fillimi i ditës, çelësi i saj, koha e zbritjes së furnizimit. Në këtë kohë është vakti i bereqetit. E gjithë dita përqendrohet në atë çast, kështu që gjumi në këtë kohë duhet të jetë si gjumi me dhunë. Gjumi më i mirë e më i dobishëm është gjumi në gjysmën e parë dhe në pjesën e gjashtë të natës – pra, gjithsej janë tetë orë gjumë. Nga aspekti mjekësor, ky është gjumi më i mirë. Gjithçka më shumë ose më pak se kaq çrregullon njeriun.

Si gjumë i padobishëm konsiderohet po ashtu gjumi menjëherë pas perëndimit të diellit deri në zhdukjen e skuqjes në qiell. Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) e ka urryer gjumin në këtë kohë. Kjo është e qortuar si në aspektin sheriatik, ashtu edhe në atë natyror.

Njësoj si gjumi i tepërt që shkakton të meta, po ashtu edhe pak gjumë shkakton dëme: mungesë të disponimit, devijime shpirtërore, dobësim në të menduar dhe në punë. Kjo gjithashtu shkakton sëmundje shkatërruese. Një njeri i tillë nuk ka dobi as për zemrën, e as për trupin. Ekzistenca mbështetet në drejtësi. Kush i përmbahet kësaj, ai ka fituar një pjesë të dobisë në çdo gjë, ndërsa për gjithçka ne kërkojmë ndihmë te Allahu.

Ibn Kajim El-Xheuzije